Një Mjek
Një Mjek
Gurët e Fshikëzës së Tëmthit (Kolelitiaza)
Gurët e Fshikëzës së Tëmthit (Kolelitiaza)

Gurët e Fshikëzës së Tëmthit (Kolelitiaza) 

Çfarë janë gurët e tëmthit?

Kolelitiaza, ose gurët e tëmthit, janë depozita të ngurtësuara të lëngut tretës që formohen në fshikëzën e tëmthit. Fshikëza e tëmthit është një organ i vogël në formë dardhe që shtrihet poshtë mëlçisë dhe ruan lëngun biliar të prodhuar nga mëlçia. Bilia është një lëng tretës i përbërë nga kolesteroli, kripërat biliare dhe bilirubina dhe lëshohet në zorrën e vogël përmes kanalit cistik dhe kanalit të përbashkët biliar, për të ndihmuar në tretjen e yndyrës. Gurët e tëmthit mund të variojnë në madhësi dhe një individ mund të zhvillojë disa gurë të tëmthit të vegjël, një gur të madh ose një kombinim të gurëve me madhësi të ndryshme.

 

Sa të shpeshtë janë gurët në tëmth?

Gurët e tëmthit janë të zakonshëm në vendet e zhvilluara, duke prekur rreth 10% të të rriturve dhe 20% të atyre mbi 65 vjeç. Vetëm 20% e njerëzve të diagnostikuar me gurë në tëmth do të kenë nevojë për trajtim.

 

Cilat janë simptomat e gurëve të tëmthit?

Në fillim, shumica e gurëve të tëmthit nuk shkaktojnë simptoma. Megjithatë, kur gurët e tëmthit bëhen më të mëdhenj, ose kur fillojnë të pengojnë kanalet biliare, simptomat ose "sulmet" fillojnë të shfaqen. Sulmet e gurëve të tëmthit zakonisht ndodhin pas një vakti me ushqim të yndyrshëm dhe gjatë natës. Më poshtë janë simptomat më të zakonshme të gurëve të tëmthit. Megjithatë, çdo individ mund të përjetojë simptoma të ndryshme. Simptomat mund të përfshijnë:

· Dhimbje të qëndrueshme dhe të forta në pjesën e sipërme të barkut që rritet me shpejtësi dhe mund të zgjasë nga 30 minuta deri në disa orë

· Dhimbje në shpinë midis shpatullave

· Dhimbje në shpatullën e djathtë

· Të përziera

· Të vjella

· Ethe

· Të dridhura

· Verdhëz. Një zverdhje e lëkurës ose e syve.

· Fryrje barku

· Intoleranca ndaj ushqimeve me yndyrë

· Gromësira ose gaz

· Dispepsi

 

Njerëzit që përjetojnë simptomat e mëposhtme duhet të konsultohen menjëherë me mjekun e tyre:

· Djersitje

· Të dridhura

· Temperaturë

· Ngjyra e verdhë e lëkurës ose e të bardhës së syve

· Jashtëqitje me ngjyrë të zbehur 

 

Disa njerëz me gurë në tëmth nuk kanë asnjë simptomë. Këta gurë quhen "gurë të heshtur", sepse nuk ndërhyjnë në funksionin e fshikëzës së tëmthit, mëlçisë ose pankreasit dhe nuk kërkojnë trajtim në shumicën e rasteve.

 

Çfarë i shkakton gurët në tëmth?

Shkaktari i formimit të gurëve të tëmthit mbetet i panjohur. Mjekët mendojnë se gurët në tëmth mund të formohen kur:

· Bilia juaj përmban shumë kolesterol. Normalisht, bilia juaj përmban kimikate të mjaftueshme për të tretur kolesterolin e ekskretuar nga mëlçia juaj. Por nëse mëlçia juaj nxjerr më shumë kolesterol sesa mund të tretet, kolesteroli i tepërt mund të formohet në kristale dhe përfundimisht në gurë.

· Bilia juaj përmban shumë bilirubinë. Bilirubina është një substancë që prodhohet kur trupi zbërthen eritrocitet. Disa sëmundje bëjnë që mëlçia juaj të prodhojë shumë bilirubinë, duke përfshirë cirrozën e mëlçisë, infeksionet e traktit biliar dhe çrregullime të caktuara të gjakut. Sasia e tepërt e bilirubines kontribuon në formimin e gurëve në tëmth.

· Fshikëza e tëmthit nuk zbrazet siç duhet. Nëse fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht ose mjaft shpesh, bilia mund të koncentrohet shumë, duke kontribuar në formimin e gurëve të tëmthit.

 

Gurët e tëmthit janë më të zakonshëm tek:

· Femrat

· Amerikanët vendas dhe njerëzit me prejardhje hispanike

· Personat mbi 40 vjeç

· Personat që janë mbipeshë

· Personat me histori familjare të gurëve të tëmthit

 

Faktorët e mëposhtëm ndikojnë në zhvillimin e gurëve në tëmth:

 

· Transplantimi i palcës së kockës/organeve

· Diabeti

· Dështimi i fshikëzës së tëmthit në zbrazjen e duhur të biljes (kjo ka më shumë gjasa të ndodhë gjatë shtatzënisë)

· Ciroza e mëlçisë dhe infeksionet e traktit biliar (gurët e pigmentuar)

· Sëmundjet që shkaktojnë shkatërrimin e shumë qelizave të kuqe të gjakut

· Humbje e shpejtë në peshë nga ngrënia e një diete me shumë pak kalori, ose pas operacionit për humbje peshe

· Marrja e ushqimit përmes venave për një periudhë të gjatë kohore (ushqyerje intravenoze)

· Marrja e pilulave kontraceptive

 

Komplikimet e gurëve të tëmthit

Komplikimet nga gurët të tëmthit mund të përfshijnë:

Inflamacion i fshikëzës së tëmthit (kolecistiti). Një gur mund të vendoset në qafën e fshikëzës së tëmthit dhe të shkaktojë inflamacion. Kolecistiti karakterizohet dhimbje të forta dhe ethe.

Bllokimi i kanalit të përbashkët biliar. Gurët e tëmthit mund të bllokojnë tubat (kanalet) përmes të cilave bilia rrjedh nga fshikëza e tëmthit ose mëlçia në zorrën tuaj të vogël. Mund të rezultojnë dhimbje të forta, verdhëz dhe infeksion të kanalit biliar.

Bllokimi i kanalit pankreatik. Kanali pankreatik del nga pankreasi dhe lidhet me kanalin e përbashkët biliar pak para se të hyjë në duoden apo zorrën dymbëdhjetë gishtore. Funksioni i këtij kanali është të bartë lëngjet pankreatike, të cilat ndihmojnë në tretje. Nëse ky kanal bllokohet nga një gur, mund të shkaktojë inflamacion të pankreasit (pankreatit). Pankreatiti karakterizohet me dhimbje të forta, të vazhdueshme të barkut dhe zakonisht kërkon shtrimin në spital.

Kanceri i fshikëzës së tëmthit. Është i rritur rreziku për zhvillimin e kancerit të fshikëzës së tëmthit nëse keni gurë në fshikëzën e tëmthit. Fatmirësisht ky lloj i kancerit është i rrallë.

 

Si diagnostikohen gurët në tëmth?

Në disa raste, gurët e tëmthit asimptomatikë zbulohen rastësisht - gjatë testimit për një diagnozë tjetër. Megjithatë, kur dhimbja vazhdon ose ndodh përsëri, ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor mund të dëshirojë të kryejë një histori të plotë mjekësore dhe ekzaminim fizik, përveç procedurave të mëposhtme diagnostikuese për gurët e tëmthit:

· Ekografi abdominale

· CT, abdomen

· Kolangiopankreatografia retrograde endoskopike (ERCP)

· Skanimi i radionuklidit të fshikëzës së tëmthit

· Ekografi endoskopike

· Kolangiopankreatografia me rezonancë magnetike (MRCP)

· Kolangiograma transhepatike perkutane (PTCA)

 

Ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor mund të ordinojë analizat e mëposhtme të gjakut:

 

· Bilirubina

· Testet e funksionit të mëlçisë

· Hemogrami i plotë i gjakut

· Enzima pankreatike (amilazë ose lipazë)

 

Si trajtohen gurët e tëmthit?

Nëse gurët në tëmth nuk shkaktojnë simptoma, trajtimi zakonisht nuk është i nevojshëm. Megjithatë, nëse dhimbja vazhdon, trajtimi mund të përfshijë:

Heqja e fshikëzës së tëmthit (kolecistektomia). Pasi të hiqet, bilia rrjedh drejtpërdrejt nga mëlçia në zorrën e hollë. Efektet anësore të kësaj mund të përfshijnë diarre sepse bilia nuk ruhet më në fshikëzën e tëmthit.

Terapia me tretje orale. Ilaçet e prodhuara nga acidi biliar përdoren për të zbërthyer gurët.

Metil-tert-butil eter. Një solucion i injektuar në fshikëzën e tëmthit për të zbërthyer gurët.

Litotripsi ekstrakorporale me valë goditëse (ESWL). Një procedurë që përdor valët e goditjes për të thyer gurët në copa të vogla që mund të kalojnë nëpër kanalet biliare pa shkaktuar bllokime.

Terapia e zbërthyerjes së gurëve me kontakt direkt. Një procedurë eksperimentale që përfshin injektimin e një solucioni direkt në fshikëz e tëmthit për të zbërthyer gurët.

 

Si hiqen gurët e tëmthit?

Ka disa mënyra të ndryshme për të hequr gurët në tëmth.

Endoskopia. Gurët e tëmthit në kanalet tuaja biliare hiqen me anë të endoskopisë (ERCP). Kjo nuk kërkon asnjë prerje. Gurët e tëmthit dalin përmes tubit të gjatë që ju është vendosur në fyt..

Laparoskopia. Kolecistektomia laparoskopike përdor "prerje të vogla" në barkun tuaj për të operuar me ndihmën e një kamere të vogël të quajtur laparoskop. Kirurgu juaj fut laparoskopin përmes një vrime dhe heq fshikëzën tuaj të tëmthit përmes një tjetre. Prerjet më të vogla sjellin më pak dhimbje pas operacionit dhe një kohë më të shpejtë rikuperimi sesa operacioni konvencional, "i hapur".

Kirurgji e hapur. Disa njerëz mund të kenë gjendje shëndetësore  më të komplikuara që kërkojnë kirurgji të hapur për t'u menaxhuar. Disa kolecistektomi laparoskopike mund të kenë nevojë të shndërrohen në kirurgji të hapur nëse kirurgu juaj has në komplikime gjatë procedurës. Rikuperimi prej këtij lloj operimi është më i gjatë.

 

Çfarë ndodh kur nuk keni më fshikëz të tëmthit?

Sistemi juaj tretës mund të funksionojë edhe pa fshikëzën e tëmthit. Fshikëza juaj e tëmthit është kryesisht një vend për mbajtjen e biljes që prodhon mëlçia juaj. Ajo dërgon lëng biliar në zorrën tuaj të vogël për të ndihmuar me tretjen. Kur kirurgu juaj heq fshikëzën e tëmthit, ai do të ridrejtojë kanalet tuaja biliare në mënyrë që bilia të rrjedhë drejtpërdrejt nga mëlçia në zorrën tuaj të vogël.

 

A mund të ndihmojë dieta për të parandaluar gurët në tëmth?

Ju mund të zvogëloni rrezikun e gurëve të kolesterolit, të cilët janë lloji më i zakonshëm, duke ulur kolesterolin në dietën tuaj. Këtu janë disa këshilla:

Kufizoni ushqimet e skuqura dhe të shpejta. Këto ushqime zakonisht skuqen në yndyrna të ngopura, të cilat nxisin kolesterolin LDL (lloji "i keq"). Nëse gatuani me vaj, zgjidhni vajra bimore në vend të yndyrave shtazore.

Zëvendësoni mishin e kuq me peshk. Mishi i kuq është i lartë në yndyrna të ngopura, ndërsa peshku është i pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat nxisin kolesterolin HDL (lloji "i mirë").

Hani më shumë bimë. Frutat, perimet dhe drithërat me fibra të larta ndihmojnë në pastrimin e kolesterolit të tepërt nga trupi juaj. Ngrënia e më shumë bimëve mund t'ju ndihmojë gjithashtu të mbani peshën tuaj.

Humbni peshë gradualisht. Dieta për të humbur peshë mund të ndihmojë në uljen e përmbajtjes së kolesterolit në gjakun tuaj. Por është më mirë të humbni peshë me një ritëm të ngadaltë dhe të qëndrueshëm prej një deri në dy kilogramë në javë. Humbja e shpejtë e peshës mund të nxisë gurët në tëmth.

Për më shumë informata në lidhje me kontrolletekzaminimettrajtiminshpenzimet dhe çdo gjë tjetër rreth shërbimeve tona në kuadër të partnerëve tanë, ju lutëm na kontaktoni përmes linjave tona të kontaktit si më poshtë ose plotësojeni formularin e dhënë në webfaqe dhe ne do ju kontaktojmë shumë shpejtë:

e-mail: info@njemjek.com

Turqi: +90 541 557 37 36; Kosovë: +383 48 333 752

 

“Besimi i juaj është përgjegjësi për ne.”

Një Mjek:

Përshëndetje!

A keni ndonjë pyetje? Mund të na shkruani!
01:33
Filloni Bisedën
Viber
Bëni
takim
Zyrat Tona
Mediat Sociale