Një Mjek
Sindroma Cushing | Hiperkortizolizmi
Sindroma Cushing | Hiperkortizolizmi

Sindroma Cushing | Hiperkortizolizmi

Çfarë është sindroma Cushing?

Sindroma Cushing apo hiperkortizolizmi është një sëmundje mjaft e rrallë e cila zhvillohet kur trupi juaj prodhon në sasi të madhe një hormon të quajtur kortizol.

Kortizoli është një hormon steroid që zakonisht quhet "hormoni i stresit" dhe ai lirohet në qarkullim të gjakut kur trupi i njeriut është në gjendje stresi. Gjëndrat mbiveshkore, gjëndra e hipofizës dhe kontrollojnë nivelet e kortizolit.

 

Funksioni i kortizolit është:

• Të menaxhojë glukozën në gjak.

• Të menaxhojë frymëmarrjen tuaj.

• Të rrisë rrahjet e zemrës.

• Të rrisë/ruaj presionin e gjakut.

• Të rrisë kontraktimin e muskujve.

• Të balancoj nivelet e kripës në trupin tuaj.

• Të reduktojë inflamacionin.

• Të ndihmojë në formimin e kujtimeve.

• Të ndihmojë në transformimin e ushqimit në energji.

 

Kortizoli ndihmon gjithashtu duke ndaluar përkohësisht sistemet që trupi juaj nuk ka nevojë gjatë kohës së stresit të shtuar, të tilla si digjestionin dhe sistemin e riprodhimit.

 

Kë prekë sindroma Cushing?

Personat që preken më shpesh nga sindroma Cushing janë fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit, kryesisht ata të moshave 25 deri në 50 vjeç. Edhe pse është sëmundje e rrallë, ajo prek 40 deri në 70 njerëz nga 1 milion çdo vit, ku 70% janë gra dhe 30% janë burra.

Personat që marrin ilaçe të kortizolit (për shembull, për të trajtuar astmën dhe artritin reumatoid) kanë rrezik më të madh për të zhvilluar sindromën Cushing.

 

Cilat janë simptomat e sindromës Cushing?

Simptomat e sindromës Cushing dallojnë nga personi në person. Simptomat zakonisht përkeqësohen me kalimin e kohës.

 

Shumica e njerëzve me sindromën Cushing kanë:

• Shtim në peshë me akumulimin e dhjamit në abdomen, por humbje dhjami nga krahët, këmbët dhe të pasmet (obeziteti qendror)

• Fytyrë të rrumbullakët, të kuqe, dhe të plotë (“fytyrë hëne”)

• Gungë në pjesën e pasme të qafës

• Shkallë e ngadaltë e rritjes (te fëmijët)

 

Ndryshimet e lëkurës mund të përfshijnë:

• Stria ngjyrë vjollcë (1/2 inç ose 1 centimetër ose më të gjera) në lëkurën e barkut, krahëve, kofshëve dhe gjinjve

• Lëkurë e hollë që mavijoset lehtë (veçanërisht në krahë dhe duar)

• Infeksionet e lëkurës

 

Ndryshimet e muskujve dhe kockave përfshijnë:

• Dhimbje e shpinës, e cila shfaqet me aktivitete rutinë

• Dhimbje ose ndjeshmëri kockore

• Thyerje të brinjëve dhe shtyllës kurrizore të shkaktuara nga hollimi i kockave

• Muskuj të dobët, veçanërisht të ijeve dhe shpatullave

• Akumulimi i dhjamit midis shpatullave dhe sipër klavikulës

 

Ndryshimet në të gjithë trupin (ndryshimet sistemike) përfshijnë:

• Diabeti mellitus i tipit 2

• Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni)

• Rritje e kolesterolit dhe triglicerideve (hiperlipidemia)

 

Femrat me sindromën Cushing mund të kenë:

• Rritja e tepërt e qimeve në fytyrë, qafë, gjoks, bark dhe kofshë

• Menstruacione që bëhen të parregullta ose ndërpriten

 

Meshkujt mund të kenë:

• Libido të ulët

• Probleme me ereksionin

 

Simptoma të tjera që mund të shfaqen me këtë sëmundje:

• Ndryshime në gjendjen mendore, si depresioni, ankthi ose ndryshimet në sjellje

• Lodhje

• Dhimbje koke

• Etje dhe urinim i shtuar

 

Çfarë e shkakton sindromën Cushing?

Sasia e lartë e kortizolit në organizëm shkakton sindromën Cushing. Shkaqet mund të jenë:

Endogjene (nga brenda trupit): Sindroma Cushing ndodh për shkak të kortizolit të prodhuar nga trupi juaj.

Ekzogjene (nga burime të jashtme): Sindroma Cushing ndodh për shkak të efekteve anësore të disa medikamenteve të marra për trajtimin e sëmundjeve tjera.

 

Disa nga shkaqet e niveleve të larta të kortizolit, janë:

Përdorimi i medikamenteve glukokortikoide.

Tumoret e hipofizës.

Tumoret kortikale mbiveshkore.

Tumoret e mushkërive, pankreasit, tiroides dhe timusit.

 

Si diagnostikohet sindroma Cushing?

Diagnoza e sindromës Cushing mund të jetë e ndërlikuar prandaj do t'ju duhet të vizitoni një specialist hormonal (endokrinolog).

Testet që mund të bëhen për të diagnostikuar sindromën Cushing dhe për të identifikuar shkakun janë:

• Niveli i kortizolit në gjak

• Sheqeri në gjak

• Niveli i kortizolit në pështymë

• Testi i supresionit të deksametazonit

• Urina 24-orëshe për kortizol dhe kreatininë

• Niveli ACTH

• Testi i stimulimit të ACTH (në raste të rralla)

• CT abdominale

• MRI e hipofizës

• Dendësia minerale e kockave

 

Si trajtohet sindroma Cushing?

Trajtimet për sindromën Cushing varen nga shkaktari i sindromës. Sa më shpejt të filloni trajtimin, aq më i mirë është rezultati. Është e rëndësishme të theksohet se prognoza juaj varet nga shkaku specifik dhe trajtimi që merrni.

Opsionet përfshijnë:

• ilaçe për të ndaluar trupin tuaj të prodhojë shumë kortizol

• reduktimi i dozës së medikamenteve steroide

• kirurgji

• radioterapi

• kimioterapi

 

Cilat janë disa nga komplikimet e sindromës Cushing?

Në shumicën e rasteve sindroma Cushing mund të shërohet, por mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet

Disa probleme shëndetësore që mund të shkaktohen nga sindroma Cushing përfshijnë:

• rezistenca ndaj insulinës dhe prediabeti

• diabet i tipit 2

• presion i lartë i gjakut

• nivele të larta të kolesterolit

• sulm në zemër ose goditje në tru

• trombozë në këmbë dhe mushkëri

• depresion ose ndryshime të tjera të disponimit

• humbje e kujtesës ose probleme me përqendrimin

• rrallim kockor dhe fraktura

• infeksione

Për më shumë informata në lidhje me kontrolletekzaminimettrajtiminshpenzimet dhe çdo gjë tjetër rreth shërbimeve tona në kuadër të partnerëve tanë, ju lutëm na kontaktoni përmes linjave tona të kontaktit si më poshtë ose plotësojeni formularin e dhënë në webfaqe dhe ne do ju kontaktojmë shumë shpejtë:

e-mail: info@njemjek.com

Turqi: +90 541 557 37 36; Kosovë: +383 48 333 752

 

“Besimi i juaj është përgjegjësi për ne.”

Një Mjek:

Përshëndetje!

A keni ndonjë pyetje? Mund të na shkruani!
09:22
Filloni Bisedën
Viber
Bëni
takim
Zyrat Tona
Mediat Sociale