Një Mjek
Sindroma e Vezores Policistike (PCOS)
Sindroma e Vezores Policistike (PCOS)

Sindroma e Vezores Policistike (PCOS)

Çfarë është PCOS?

Sindroma e vezores policistike (PCOS) është një çrregullim hormonal që ndodh gjatë viteve riprodhuese te një femër. PCOS bën që vezoret tuaja prodhojnë hormone të tepërta mashkullore te quajtura androgjene.

Emri sindromi i vezores policistike përshkruan cistat e shumta të vogla (qese të mbushura me lëng) që formohen në vezore po nuk do të thotë që të gjitha femrat me këtë çrregullim kanë ciste. Shkaktari i zhvillimit të këtyre cisteve në vezore është mungesa e ovulimit.

Ovulimi ndodh kur një vezë e pjekur lirohet nga një vezore në mënyrë qe të fertilizohet dhe nëse nuk fertilizohet atëherë del jashtë trupit përmes menstruacioneve. Arsyeja përse femrat me PCOS nuk ovulojnë është sepse vezoret e tyre nuk prodhojnë mjaftueshëm hormonet e nevojshme për të ovuluar. Rrjedhimisht, kur ovulimi nuk ndodh, vezoret mund të zhvillojnë shumë ciste të vogla të cilat prodhojnë androgjene.

Shumë probleme shfaqen si rezultat i rritjes së androgjeneve, duke përfshirë:

• Çrregullime menstruale

• Infertilitet

• Problemet e lëkurës, si aknet dhe qime të tepërta

• Rritje e numrit të cisteve të vogla në vezore

• Rezistenca ndaj insulinës, me një rrezik të shtuar të zhvillimit të diabetit

 

Sa e shpeshtë është PCOS?

Diku 5%-10% e grave të moshës 15-44 vjeç kanë PCOS. Shumica e grave zbulojnë se e kanë këtë çrregullim në të 20-at dhe 30-at e tyre, kur kanë probleme për të mbetur shtatzënë dhe shkojnë tek mjeku i tyre. Por PCOS mund të ndodhë në çdo moshë pas pubertetit.

Gratë e të gjitha racave dhe etnive janë të rrezikuara nga PCOS. Rreziku për të zhvilluar PCOS mund të jetë më i lartë nëse keni obezitet ose nëse keni një nënë, motër ose teze me PCOS.

 

Cilat janë shenjat dhe simptomat e PCOS?

Shenjat dhe simptomat më të zakonshme të PCOS përfshijnë:

Menstruacionet e parregullta: Menstruacionet përfshijnë cikle të çrregullta ose mungesën totale të tyre. Gjithashtu, menstruacionet mund të jenë të shoqëruara me gjakderdhje të rëndë.

Rritja eksesive e qimeve: Ju mund të keni qime të tepërta në fytyrë ose të keni rritje të tepruar të qimeve në krahë, gjoks dhe bark (hirsutizëm). Kjo prek deri në 70% të femrave me PCOS.

Aknet: PCOS mund të shkaktojë puçrra, veçanërisht në shpinë, gjoks dhe fytyrë. Këto akne mund të vazhdojnë vite pas adoleshencës dhe mund të jetë e vështirë për t'i trajtuar.

Obeziteti: Midis 40% dhe 80% e njerëzve me PCOS kanë obezitet dhe kanë probleme për të mbajtur një peshë të shëndetshme për ta.

Errësim i lëkurës: Mund të keni njolla të errëta të lëkurës, veçanërisht në palosjet e qafës, sqetullave, ijëve (midis këmbëve) dhe nën gjoks. Kjo njihet si acanthosis nigricans.

Cistet: Shumë femra me PCOS zhvillojnë ciste në vezore.

Lyrthat e lëkurës: Lyrthat e lëkurës shpesh gjenden në sqetull ose në qafë.

Rrallimi i flokëve: Femrat me PCOS mund të kenë rrallim të flokëve.

Infertiliteti: PCOS është shkaku më i zakonshëm i infertilitetit tek grate për shkak të çrregullimeve të ovulacionit.

 

Çfarë e shkakton PCOS?

Shkaku i saktë i PCOS nuk dihet. Faktorët që mund të luajnë një rol përfshijnë:

Rezistenca ndaj insulinës. Insulina është një hormon që e prodhon pankreasi. Funksioni i saj është të lejoj qelizat të përdorin sheqerin, i cili është burimi kryesor i energjisë së trupit të njeriut.

Kur qelizat bëhen rezistente ndaj veprimit të insulines, niveli i sheqerit në gjak rritet dhe kjo bën  që pankeasi të prodhojë më tepër insulinë në mënyrë që të ulë nivelin e sheqerit në gjak. Sasia e tepërt e insulinës rritë prodhimin e androgjeneve, të cilat pastaj shkaktojnë shumë probleme siç është e cekur më parë.

Gjenetika. Hulumtimet tregojnë lidhje të disa gjeneve me PCOS. Të pasurit histori familjare të PCOS mund të luajë një rol në zhvillimin e këtij çrregullimi.

Inflamacion i shkallës së ulët. Leukocitet në gjak prodhojnë substanca në përgjigje të infeksionit/lëndimit, pra shkaktojnë inflamacion. Hulumtimet tregojnë se njerëzit me PCOS kanë një lloj inflamacioni afatgjatë dhe të shkallës së ulët që i bën vezoret policistike të prodhojnë androgjene.

Teprica e androgjenit. Me PCOS, vezoret mund të prodhojnë nivele të larta të androgjenit. Sasia e tepërt e androgjenit pengon ovulimin. Teprica e androgjenit gjithashtu mund të rezultojë në hirsutizëm dhe akne.

 

A mund të keni PCOS por të mos keni asnjë simptomë?

Po. Shumë femra nuk e dine që e kanë këtë çrregullim derisa të kenë probleme të mbeten shtatzënë ose të shtojnë peshë për arsye të panjohura. Është gjithashtu e mundur që të keni PCOS të lehtë, ku simptomat nuk janë aq të rënda sa t'i vini re.

 

Cilat janë komplikimet e PCOS?

Komplikimet e PCOS mund të përfshijnë:

• Infertilitetin

• Sindroma metabolike - një grup sëmundjesh duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak dhe nivelet e pashëndetshme të kolesterolit ose triglicerideve që rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut

• Diabetin e tipit 2 ose prediabetin

• Diabetin gestacional ose presionin e lartë të gjakut të shkaktuar nga shtatzënia

• Depresionin, ankthin dhe çrregullimet e të ngrënit

• Apnea e gjumit

• Abortin ose lindje të parakohshme

• Kancerin e mukozës së mitrës (kanceri i endometrit)

• Steatohepatitin joalkoolik — një inflamacion i rëndë i mëlçisë i shkaktuar nga grumbullimi i yndyrës në mëlçi

 

Si diagnostikohet PCOS?

Për të bërë një diagnozë të PCOS nevojitet një anamnezë e mirë e simptomave dhe historisë familjare, pastaj ekzaminimet fizike, sonografia mitrës si dhe analizat e gjakut.

 

Si trajtohet PCOS?

Trajtimi për PCOS përcaktohet në bazë të simptomave, historisë mjekësore dhe problemeve të tjera shëndetësore dhe nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë. Trajtimet mund të përfshijnë medikamente, ndryshime të stilit të jetesës ose një kombinim i të dyjave.

 

Nëse nuk planifikoni të mbeteni shtatzënë, trajtimet përfshijnë:

Kontraceptivë hormonal

Medikamente për të përmirësuar ndjeshmërinë e insulinës

Medikamente për të bllokuar androgjenët

Ndryshimet e stilit të jetesës

 

Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë tani ose në të ardhmen, trajtimi për PCOS përfshin:

Barnat për të nxitur ovulacionin

Fertilizimi in vitro (IVF)

Kirurgji

 

A largohet ndonjëherë PCOS?

PCOS nuk ka kurë mirëpo mjeku juaj mund t'ju ndihmojë të menaxhoni simptomat tuaja. Simptomat e PCOS mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen me kalimin e kohës aq sa që të bëheni më pak të vetëdijshëm që e keni këtë çrregullim. Megjithatë, nuk ka një trajtim që e shëron atë përgjithmonë.

 

A mund të jeni në menopauzë dhe të keni PCOS?

Ndonjëherë menopauza mund të largojë simptomat e PCOS, për shkak të ndryshimeve hormonale që ndodhin gjatë asaj periudhe.

 

A mund të parandaloni PCOS ose efektet e saj?

PCOS nuk mund të parandalohet mirëpo simptomat mund të zvogëlohen duke ndryshuar stilin e jetesës dhe dietën.

 

Një nga metodat më të mira për të përballuar PCOS është ruajtja e një peshe trupore të shëndetshme, dieta e pasur me vlera ushqyese si dhe aktiviteti fizik i rregullt. Këto ndryshime në stilin tuaj të jetesës mund të ndikojnë pozitivisht në nivelet e hormoneve, nga ana tjetër duke rregulluar ciklin tuaj menstrual dhe duke lehtësuar simptomat tuaja.

Nëse rritja e tepërt e qimeve ose aknet po dëmtojnë vetbesimin tuaj, trajtimet kozmetike ose konsultimi me një dermatolog mund të jenë të dobishme.

Për më shumë informata në lidhje me kontrolletekzaminimettrajtiminshpenzimet dhe çdo gjë tjetër rreth shërbimeve tona në kuadër të partnerëve tanë, ju lutëm na kontaktoni përmes linjave tona të kontaktit si më poshtë ose plotësojeni formularin e dhënë në webfaqe dhe ne do ju kontaktojmë shumë shpejtë:

e-mail: info@njemjek.com

Turqi: +90 541 557 37 36; Kosovë: +383 48 333 752

 

“Besimi i juaj është përgjegjësi për ne.”

Një Mjek:

Përshëndetje!

A keni ndonjë pyetje? Mund të na shkruani!
08:41
Filloni Bisedën
Viber
Bëni
takim
Zyrat Tona
Mediat Sociale